Me ndjesinë e një qytetari normal, me interesa që shtrihen përtej një kufiri personal apo familjar, kam drojën se periudha e tranzicionit politik, ekonomik dhe shoqëror do të zgjasë më shumë se një çerek shekulli. Nga mënyra se si po progresojmë në demokraci, në shtetndërtim dhe në ekonomi ka gjasa që, edhe pas 2017-ës, Shqipëria do të jetë në periferi të Europës.
Europa Atlantike na mori me “karrocë invalidi” dhe na anëtarësoi në NATO. Një “karrocë” e dytë për në Europën Komunitare do të na bënte karikaturë të fqinjit tonë jugor që kjo Europë bujare e mori në prehër në vitet tetëdhjetë dhe vetëm pas tre dekadash ja “përmbysi djepin.”
Në këtë pistë, ku nga korsitë e tjera nuk na futen më bryla dhe, çalë-çalë shohim larg të mjegulluar vijën e bardhë te finishit, në të cilën Juria i ka varur në qafë kronometrat, ja vlen t’i thërrasim mendjes për të përgatitur disa punë të perspektivës historike. Për këtë mendoj që, në kohën sa më të shpejtë të mundëshme, votuesit e Republikës së Shqipërisë të ftohen në një referendum ku, t’u japim përgjigje një grupi pyetjesh bazale për qenien dhe ardhmërinë tonë:
1. A duhet të ribëhet Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë?
2. A duhet të zgjidhet nga populli apo nga Trupa Legjislative Kryetari i Shtetit?
3. A duhet të ketë një apo dy dhoma Kuvendi i Shqiperisë?
4. A duhet të kufizohet veprimtaria kryeqeverisëse në jo më shumë se dy mandate?
5. A duhet vendosur një sistem elektoral maxhoritar apo proporcional për zgjedhjen e Trupës Legjislative?
Pëgjigja rezultante do të qartësonte dhe do ta lehtësonte perspektivën e zhvendosjes sonë drejt një progresi të qëndrueshëm. Fizika, si cdo shkencë e “ftohtë” dhe egzakte na mëson se energjia shndërrohet në dy forma: në nxehtësi dhe në lëvizje, d.m.th. punë mekanike. Prej shekujsh e kemi harxhuar energjinë tonë kombëtare duke e kthyer në nxehtësi, duke bërë më shumë sherre dhe duke u grindur me njëri-tjetrin sesa duke bërë progress në qytetërim.
Tek mundohem të përfytyroj mekanizmat dhe shtysat që do ta sendërtojnë këtë referendum, përpara më shfaqet e sapozbuluara, binjakja e tokës sonë, ”Kepler 22b,” jo shumë larg nesh, vecse gjashtëqind vjet dritë.
Presidentit aktual, të nderuarit zoti Topi, ja kanë bërë benë që nuk do ta lënë asnjë sekondë në karrike, sapo të mbarojë afati kushtetues. Kyretarët e maxhorancës dhe të opozitës nuk janë të interesuar të përfshihen në aksione të tilla referendare dhe bëjnë “kalkulime transparente” se si t’ja hedhin njëri tjetrit në hapat apo sekondat e fundit. Akademia e Shkencave dhe pjesa tjetër e elitës shkencore është rrogëtare e qeverisë dhe nuk besoj ta prishë statusin e saj të mbijetesës. Shoqëria civile nuk e ka potencialin dhe po përpëlitet që të pengojë plehrat me një referendum të tillë. Një lëvizje goxha e fuqishme me emrin Aleanca Kuq e Zi mlodhi firmat për ligjin e regjistrimit te popullsisë, por institucionet që kishin detyrë kushtetuese e sabotuan. Dy referendumet që janë bërë në periudhën e pluralizmit shqiptar kanë shtuar aq pikëpyetje në seriozitetin dhe saktësinë e tyre saqë të gjithë “aksesorëet”që mund të vënë në lëvizje një lëvizje referendare janë të “shkrehur.”
Në këto kushte unë ngushëllohem se e lava shpirtin duke shprehur publikisht një ide që ngulmoj se e kam të drejtë, dhe mijëra të tjerë që mendojnë si unë, në pamundësi për t’u dendësuar në një forcë imponuese, lusim Zotin nëse, violinat e Europës apo Amerikës që prej dekadash luajnë simfoninë e qytetarisë dhe kushtetutshmërisë do të dridhin daullet e veshëve të shurdhuar të udhëheqësve tanë.
Koha është tani. Efemere dhe e pamëshirëshme ajo na mplak. Në vorbullën e një shekulli, më shumë kemi konsumuar sesa kemi bërë histori. Është e udhës që shteti shqiptar ta fillonte shekullin e dytë të jetës duke shkruar në një letër të bardhë Kontratën Shoqërore me popullin e vet. Ekuacionet e ngatërruara, me të cilat Europa na ka vënë në provë, na ndihmoi vetë t’i zgjidhim. Tani na ka dhënë një aritmetikë të thjeshtë, të dimë të mbledhim. Që ta bëjmë mirë këtë duhet gjetur emëruesi i përbashkët, gjëja më e vështirë e deritashme.
Le të shpresojmë!
Dedë SHKURTI
No comments:
Post a Comment